Përfundojnë dy segmente të Unazës së Vogël të Tiranës

26/04/2016 00:00

Kanë përfunduar punimet në dy segmente të Unazës së Vogël në Tiranë, pranë pallateve 9-katëshe dhe mbrapa Muzeut Kombëtar. Në fund të muajit maj pritet të përfundojë e gjithë unaza dhe në qershor nisin punimet për shndërrimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale.

Ndërkohë, janë shpronësuar edhe pronarët e godinës së INSIG-ut në vlerën e 2 milionë dollarëve e cila ka penguar deri më tani punimet në unazë.

“Pasi të mbarojë totalisht unaza, do të nisin punimet në shesh. Edhe ato punime do të bëhen me segmente. Gjithmonë do të ketë kanale kalimi në shesh, derisa të jetë i gjithi pedonal”, u shpreh Veliaj.

Në qendër dhe përgjatë bulevardit nuk do të ketë më as autobusë të agjensive turistike të cilat trasnportonin qytetarët që lëviznin drejt Greqisë apo Kosovës dhe vende të tjera. Sipas kryetarit të bashkisë, autobusët do të zhvendosen në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
 
“Vetëm prej zhvendosjes te ish-dogana, 2670 autobusë më pak do të hyjnë në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Unaza e vogël e qytetit po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohore. Ajo është kompletuar me korsi për biçikleta, me sinjalistikë për personat e verbër dhe nuk parashikon parkim të automjeteve në anë të saj.

Top Channel