
Me llogaritjet e reja të opozitës rezulton se, qeveria ka shpenzuar për vete 91 milionë dollarë, ndërsa me 89 milionë të tjera nga buxheti i shtetit janë pasuruar vetëm 11 kompani. Lulzim Basha i prezantoi ato secilën me emër, pronarin përkatës e lidhi drejtpërdrejt ose indirekt me Edi Ramën dhe, duke i quajtur si “kombëtarja e oligarkisë” llogariti se çfarë mund të ishte bërë me këto parà.
“89 milionë dollarë të marra nga kjo 11-she dhe 90 mln USD shpenzime luksi do të ishin të mjaftueshme për të punësuar mbi 25 mijë shqiptarë në një vit, me pagë 54 mijë lekë”, tha Basha.
Opozita thotë se, për shkak të korrupsionit, pabarazia e shoqërisë është thelluar.
“E mbani mend parullën e famshme të Rilindjes se, 5 për qind e shqiptarëve zotërojnë 50 për qind të depozitave? Sot drejtojnë një vend, ku 4 për qind e popullsisë zotëron 58 për qind të depozitave, ndërkohë konfirmohet se 46.2 për qind e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje”, deklaroi më tej Basha.
Sipas opozitës, në dy vite qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 2.2 miliardë dollarë.
“Ka rënë zija e korrupsionit dhe e krimit me lidhje qeveritare”, u shpreh Basha.
Me një postim në Twitter, Edi Rama tregoi se po e ndiqte Lulzim Bashën, të cilin zakonisht e quan si të birin politik të Sali Berishës.
“Bëmë o babë të të ngjaj! Shpif baba e shpif çuni, shpif e shpif dhe eja rrotull, se po na vjen Reforma në Drejtësi. Sa më shumë baltë, se kushedi…”, shkroi Rama në “Twitter”.
Ky ishte një rast që Rama dhe Basha të replikojnë në distancë.
“Sot gënjeshtra më e madhe në Shqipëri dhe në Ballkan, rrena më e madhe epike e shqiptarëve e ka emrin Edi Rama. Nëse na ndjek dhe vazhdon të na ndjekë: përshëndetje, nuk e kam me ty, por me paret që ke vjedh”, iu kundërpërgjigj kreu i PD-së statusit të kryeministrit.
Por në të 3 “cicërimat” që Rama bëri njëri pas tjetrit, Reforma në Drejtësi ishte emëruesi i përbashkët.
“E dine edhe vet, s’kanë ku ikin! Sa më shumë çirren krim-krim-krim, aq më shumë u dhemb e vërteta, që Reformës në Drejtësi nuk i ikin dot!”, replikoi Rama.
Për Reformën në Drejtësi, Basha duhet të ketë biseduar sërish me ambasadorin Lu gjatë takimit të paparashikuar mesditën e kësaj të marte.
“Dhe Reforma në Drejtësi, përsa më takon mua, ka nisur me arrestimin e Emiliano Shullazit”, tha në fund Basha.
***
Ekonomia ishte kryefjala e një bashkëbisedimi të Lulzim Bashës me gazetarët dhe është e qartë që opozita ka një kendvështrim krejt të kundërt nga ai i Kryeministrit Edi Rama për të dhe për këtë ajo jep edhe arsyet e saj. Qëllimin e bashkëbisedimit Basha e sqaroi që në fillim, së pari të tregojë sesi, sipas tij, janë vjedhur 2.2 miliardë euro në dy vite qeverisje të maxhorancës dhe së dyti t’u shpjegojë shqiptarëve sesi dilet nga ajo që e quajti mjerim ekonomik.
“2.2 mld euro janë vjedhur në dy vite, në 2014 dhe në 2015. Pjesa e luanit vjen nga abuzimi në Dogana e Tatime”, tha Basha, që e argumentoi këtë duke thënë se pavarësisht rritjes së taksave dhe tarifave doganore, sërish buxhetit i mungojnë 400 milionë euro më pak. “Spikat në volumin e saj e dyta në abuzimin, plot 500 mln euro, që mendojeni vetë se çfarë mund të bëhej me to”, deklaroi ai.
Të tretën Partia Demokratike radhit prokurimet, ku jo rrallëherë ka akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe abuzime. “Një e treta e prokurimeve janë të drejtpërdrejta, pra nuk ka garë dhe shërbimin me çmimin më të lartë e vendos Edi Rama, para që shkojnë tek njerëzit që Edi Rama u jep tenderat dhe prokurimet, para që shkojnë për luks, ndërsa njerëzit kridhen në mjerim”, u shpreh Basha.
Investimet për luksin e qeveritarëve, Lulzim Basha e quajti skemë për të vjedhur taksat e shqiptarëve. Në total, sipas Bashës, sot janë 88 milionë dollarë që janë përfituar nga një rreth i ngushtë njerëzish të afërt me Kryeministrin, që duke u shtuar edhe 90 milionë dollarë shpenzime luksi, sipas opozitës, do të mjaftonin për hapjen e 25 mijë vendeve të reja të punës.
Basha shtoi se PD ka një plan solid për nxjerrjen e vendit nga kriza, të cilin, siç tha ai, do ta realizojë: “Duke vendosur një taksim të ndershëm dhe duke vendosur procedura prokurimi dhe subvencionimi transparente do t’u kthejmë taksapaguesve 150 milionë euro çdo vit, në funksion të politikave që hapin vende pune, që shtojnë aktivitetin industrial dhe punësojnë rininë shqiptare”.
Kryetari i opozitës paralajmëroi se, nga dita e nesërme do të denoncohen me shifra dhe emra oligarkët që kanë vjedhur shqiptarët, “me bekimin e kryeministrit”.
Top Channel