PD, Alibeaj: Rama po u jep bandave truallin tek “Qemal Stafa”

25/04/2016 12:05

Kryetari i sekretariatit për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama se, pas aferave me Emiljano Shullazin në Durrës po përgatit një aferë me një bandë tjetër për të zhvatur sipas tij një pronë në kryeqytet.

“Edi Rama ka planifikuar që një truall të rëndësishëm në Tiranë, aneksin e stadiumit “Qemal Stafa”, ta vërë në dispozicion të një bande tjetër kriminale”, ka deklaruar Alibeaj.

Sipas tij, “më parë, kur bashkia drejtohej nga zoti Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët, në shërbim të komunitetit”.

“Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt dhe ka në plan që t’ia japë bandës tjetër të preferuar, për të ngritur selinë e saj qendrore. Bëhet fjalë për këtë truall në zemër të Tiranës, që nga lulishte jo vetëm për banorët e zonës por për mbarë qytetarët, shndërrohet në kullë betoni, kullë përfitimi, kullë zhvatjeje e korrupsioni”, ka thënë Alibeaj.

Siç është bërë publike, ka vijuar ai, banda e Shullazit me Edi Ramën mori pronën dhe truallin më të çmuar në mes të Durrësit, godinën historike të hotel Vollgës.

“Tashmë, Edi Rama po planifikon të shërbejë Shullazin dhe një bandë tjetër, lidhjet me të cilën janë të vjetra për të, që kur u bë për herë të parë kryetar bashkie, me këtë truall në qendër të Tiranës”, ka thënë Alibeaj.

“Kjo është qeveria e bandave që qëndrojnë mbi ligjin, që marrin prona publike, që ndërtojnë ku të duan. Ky është kryeministri i bandave, i bandave që vënë gjoba, që grabisin e plaçkisin qytetarët me tytën e armës. I është sulur popullit me kërbaç e me burg e po i merr dhe kacidhen e fundit, ndërsa vetë ndan prona e troje, ndan pasurinë e vendit me bandat e kriminelët më të rrezikshëm në vend”, ka shtuar Alibeaj.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA