Qëndrimi i Partisë Demokratike jashtë Parlamentit aq ditë sa është dënuar me përjashtim Sali Berisha nuk ishte surprizë. Demokratët i bojkotuan komisionet që paraditen e së hënës, një vendim që Jozefina Topalli e quajti të vonuar.
Por të gjithë ishin dakord me shpjegimin e kryetarit Basha përse Sali Berisha u përjashtua nga Kuvendi.
“Një vendim që u mor si hakmarrje e Edi Ramës për denoncimin e aferës së Shullazit, megaskandalit të shtetit Rama-Shullazi. Po ndjekim dhe do të ndjekim me vëmendje të madhe, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë çdo hap që qeveria e Edi Ramës dhe Edi Rama personalisht po hedhin për t’i dhënë gajret bandës, siç është dënimi i Sali Berishës pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë argument”, deklaroi Basha pas mbledhjes së grupit.
Vetë Sali Berisha nuk foli për denimin, por i kërkoi grupit parlamentar të mos përfshijë në axhendën e punës çështjen e ligjit të armëve. Ish-kryeministri u tha deputetëve se e ka bindje personale se vetëmbrojtja bazohet në traditën e shqiptarit se, “shtëpia ime është kështjella ime” dhe se “nga njerëzit që mund të vetëmbrohen trembet vetëm një diktaturë”.
Ish-kryeministri u tha deputetëve se, “kjo është një çeshtje që ai do ta mbrojë i vetëm dhe se nëse do të vendosë që të shndërrojë në iniciativë ligjore ndryshimin e ligjit të armëve do ta bëjë këtë duke mbledhur edhe firma nga deputetë të partive të tjera”.
Top Channel