Obama: Europa të qëndrojë e bashkuar. Keni bërë ndryshime të mëdha

25/04/2016 00:00

Në ditën e tij të fundit të vizitës në Gjermani, në kuadër të marrëveshjeve të reja tregtare të Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Europian, Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se, bota ka nevojë më shumë se kurrë për një Europë të fortë, të bashkuar dhe demokratike.

“Ndoshta ju keni nevojën, që një person i jashtëm t’iu rikujtojë atë që keni arritur të bashkuar, që nga shkaterrimi i Luftës së Dytë Botërore. Në botën e sotme, më shumë se në çdo kohë të historisë së njerëzimit, mendimi i gabuar i çon njerëzit drejt shtypjes, margjinalizimit, kampeve të internimit, apo deri te masakra si ajo e Srebrenicës. Pra, ky është një moment përcaktues se, çfarë ndodh në Europë do të ketë pasoja në të gjithë botën”, tha Barack Obama.

Sipas analistëve, fjalimi i Obamës – në Panairin e Teknologjisë në Hanover, – shihet si një tjetër thirrje e tij, pas asaj që bëri në Londër, kur tha se Britania e Madhe nuk duhet të largohet nga Bashkimi Europian.

Po ashtu, ai pranoi se politika e emigracionit është e vështirë në çdo vend, por në këtë rast, blloku 28-anëtarësh nuk duhet të krijojë përçarje, tha ai. Ndërsa në tryezën e përbashkët me Angela Merkel, David Cameron, Matteo Renzi dhe Francois Hollande, Obama bëri gjithashtu thirrje për ndarjen e informacionit të shërbimeve të inteligjencës, për të parandaluar sulmet e ISIS.

Më herët, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do të dërgojë 250 trupa shtesë në Siri, në mbështetje të milicive lokale dhe luftës së tyre kundër militantëve të Shtetit të dhunshëm Islamik.2

Top Channel