Frika nga Trump, kandidatët republikanë bashkojnë forcat

25/04/2016 11:00

Frika e një triumfi të Donaldit Trump po shpërfaqet gjithmonë e më shumë në kampin republikan, e dëshmia e fundit është deklarata e dy rivalëve të tij për nominimin presidencial, Ted Cruz dhe John Casich, se nga ky moment do të koordinojnë strategjitë e tyre për ta luftuar së bashku miliarderin njujorkez.

Cruz do të ndërpresë fushatën në parapraket e Oregonit dhe Nju Meksikos për të ndihmuar Kasich, ndërsa ky i fundit do t’i pastrojë rrugën senatorit të Teksasit në Indiana.

Reagimi i Trump qe i menjëhershëm. “Kundërshtarët e mi janë krejtësisht të dëshpëruar dhe matematikisht të vdekur”, ishin fjalët e tij.

Manjati i pasurive të patundshme vazhdon ta kryesojë bindshëm garën me numër delegatësh, por nuk përjashtohet mundësia që edhe të mos i sigurojë dot 1.237 të tillë, aq sa nevojiten për të fituar nominimin partiak.

Nëse Trump nuk e arrin këtë shifër, atëherë mbahet një e ashtuquajtur “konventë e kontestuar”, ku nga negociatat mes figurave kryesore të partisë mund të dalë në dritë një i nominuar tjetër.

Se sa i frikëson ideja e fitores së tij rivalët e tjerë, kjo shihet qartë edhe nga deklarata e liderit të fushatës së Cruz, Jeff Roe, i cili tha se, bileta e Trump në zgjedhjet e nëntorit do të ishte një katastrofë për republikanët.

Jo vetëm do spastrohet shumë shpejt nga Hillary Clinton apo Bernie Sanders, thotë Roe, por vetë fakti që ai mund të jetë i nominuari ynë do ta çojë Partinë Republikane një gjeneratë prapa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA