Sipas Partisë Demokratike, “Edi Rama ka përzgjedhur për planin e tij klientelist dhe korruptiv të ndërtimit të qendrës tregtare dhe kullës, në vend të stadiumit, arkitektin italian Marco Casamonti, i dënuar për korrupsion për ndërtimet e tij në Firence”.
“I njohur në Shqipëri për ndërtimin e kullave të betonit me bekimin dhe mbështetjen e Ramës, si pallati 24-katësh, në krah të Gjykatës së Lartë. Po ashtu, në vitin 2008 ishte anëtar i jurisë për projektin e sheshit “Skenderbej”, që nxori fitues projektin e Anri Salës dhe firmës belge të vajzës së Linda Ramës, projekt që Veliaj parashikon ta ndërtojë së shpejti në shërbim të shefit të tij. Ky arkitekt ka në Shqiperi për ortak Alban Eftimin e Atelier 4, klientin e Ramës që fitonte 70% të projekteve të Bashkisë”, u shpreh zëdhënësja e demokratëve, Ina Zhupa.
“Për t’i hapur rrugën këtij projekti klientelist e korruptiv, Edi Rama ishte i detyruar të ndryshonte destinacionin e truallit, pasi kjo zonë mbrohej si terren sportiv. Ndaj, Edi Rama me vendim qeverie e ktheu në destinacion josportiv. Pas këtij akti, “mbolli” aty kulla e beton, dyqane e njësi tregtare, pa transparencë, në fshehtësi të plotë. Arena e këtij biznesi zmadhohet edhe më shumë kur del se Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë në pronësi vetëm fushën, ndërsa 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të qendrës pseudostadium dhe kulla do të jenë në pronësi të klientelës, kompanisë “Alb-Stars shpk”. Pra, trualli publik me vlerën më të madhe në qendër të Tiranës, i kalon për qëllime biznesi dhe përfitimi mikut të Edi Ramës”, shtoi Zhupa.
Top Channel