Presidenti amerikan Barack Obama u ka bërë thirrje të rinjve në Britani që të “refuzojnë pesimizmin dhe cinizmin dhe të ndërgjegjësohen se progresi është i arritshëm dhe se problemet mund të zgjidhen”.
“Duhet ta shihni me një sy më të gjerë dhe më optimist historinë”, u tha ai të rinjve në një fjalim të mbajtur në Londër.
I pyetur për trashëgiminë e tij, presidenti Obama tha: “Do ta shoh në fund tabelën e rezultateve… Mendoj se kam qenë i sinqertë me veten”.
Ai iu referua ndryshimeve të bëra në sistemin e kujdesit shëndetësor, duke thënë se, “është diçka për të cilën jam krenar”. “Dhe shpëtimi i ekonomisë botërore nga një depresion madhor ishte edhe më mirë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur në lidhje me marrëveshjet me kundërshtarët politikë, presidenti tha: “kërkojini njerëzit që nuk bien dakord me ju. Kjo do t’ju mësojë se si të bëni kompromise”. “Dhe kompromis nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ajo që besoni”, u tha Obama të rinjve.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pas mesazhit se, Britania do të jetë e fundit në radhë për marrëveshje tregtare me SHBA nëse braktis BE-në.
Komentet e tij acaruan politikanët pro-Brexit. Nigel Farage e akuzoi atë se po i impononte politikat qeverisë britanike, ndërsa konservatori Liam Fox tha se, “këndvështrimet e tij janë të parëndësishme”.
Top Channel