Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zyrtarë të lartë europianë pritet të vizitojnë kufirin turko-sirian për të promovuar një marrëveshje kontroverse 4-mujore për emigrantët. Vizita vjen mes dyshimeve për ligjshmërinë e paktit BE-Turqi që parashikon deportimin në Turqi të emigrantëve që nuk janë të kualifikuar për azil në Greqi.
Grupet për të drejtat e njeriut pretendojnë se Turqia nuk është një vend i sigurtë për të kthyer emigrantë. Sipas “Amnesty International”, Ankaraja ka kthyer shtetas sirianë në vendin e tyre në mënyrë të paligjshme. Nga ana e saj, Turqia i mohon akuzat dhe parlajmëron se marrëveshja mund të dështojë nëse premtimet e BE-së për ndihmën financiare prej 6.8 miliardë eurosh dhe për liberalizimin e vizave nuk do të plotësohen.
Sipas marrëveshjes, Turqia duhet të përmbushë 72 kushte deri në 4 maj për të përfituar heqjen e vizave, por diplomatët thonë se vetëm gjysma e pikave janë plotësuar deri më tani. Kancelarja gjermane pritet të vizitojë një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gaziantepit, pranë kufirit sirian, ku do të takohet me kryeministrin turk Ahmet Davutoglu.
Ajo do të shoqërohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe zv/presidenti i KE-së, Frans Timmermans. Merkel po përballet me një trysni në rritje në Gjermani për politikat e emigracionit, por ajo vazhdon të mbrojë ujdinë me Turqinë, pavarësisht kundërshtive nga disa partnerë europianë. Qëllimi i marrëveshjes është të pengojë kalimin e emigrantëve nga Turqia në Greqi.
Që prej 20 marsit, personat që mbërrijnë ilegalisht në Greqi, kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa e tyre refuzohet. Për çdo sirian të kthyer, BE-ja duhet të pranojë direkt nga kampet turke një tjetër shtetas të këtij vendi, i cili ka bërë kërkesë të ligjshme. Skema ka reduktuar ndjeshëm numrin e të ardhureve, nga më shume se 56 mijë në muajin shkurt në rreth 7800 përgjatë 30 ditëve të fundit.
Gjithsesi, Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin tha se të dhënat jozyrtare të ditëve të fundit sugjeronin se shifrat po rriteshin sërish. Tjetër sfidë është rishpërndarja e premtuar e emigrantëve në vendet e BE-së të cilat po hezitojnë të pranojnë më shumë persona. Sipas komisionit, deri më tani vetëm 103 sirianë janë risistemuar nga Turqia në Europë. Rreth 2.7 milionë refugjatë sirianë po qëndrojnë në Siri, çka sipas qeverisë përkthehet në një kosto prej 10 miliardë dollarësh.
Top Channel