
“Obama është gjysmë kenian, prandaj edhe është kundër perandorisë britanike, pra pro-europian”. Kështu e shpjegon kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, qëndrimin e Presidentit amerikan kundër “Brexit”.
Deklaratat e tij shkaktuan një stuhi të menjëhershme në vend. Deputetja laburiste, Diane Abbot, i cilësoi ato si raciste, ndërsa për ish-liderin e liberal-demokratëve, Menzies Campbell, bëhet fjalë për një sulm thellësisht fyes.
Por, kryebashkiaku i Londrës, një prej mbështetësve më të zëshëm të shkëputjes nga Brukseli, sulmon argumentet e Obamës duke e kthyer këtë në një çështje gjenetike.
“Thuhet se pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë Obama hoqi bustin e Winston Churchill nga Zyra Ovale. Sipas disave, ky është shembull i neverisë së trashëguar të Presidentit gjysmë kenian për perandorinë britanike”, tha ai.
Edhe vetë nipi i Churchill, Nicholas Soames, përfaqësues i Partisë Konservatore e vlerëson si totalisht të gabuar komentin e kolegut të tij.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili gjendet në një vizitë 3 ditore në Angli, ftoi britanikët të qëndrojnë brenda Bashkimit Europian, pasi siguria e tyre do ishte e mbrojtur më mirë në brendësi të BE.
Top Channel