
Zhvillohet në Selanik takimi i ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë për krizën migratore. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ai i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri morën pjesë në këtë takim.
Në fokus të takimit ishin diskutimet mbi krizën migratore të shkaktuar nga fluksi i të ardhurve nga vatrat e luftës dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, si dhe forcimi i dialogut dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis katër vendeve. Ministrat u ndalën në frymën e angazhimeve të ndërmarra në mbledhjen e nivelit të lartë të tetorit 2015 mbi fluksin e refugjatëve përgjatë vijës së Ballkanit Perëndimor.
Takimi i Selanikut e vuri theksin në evidentimin e aspektit human, në trajtimin e saj, nevojën për koordinim dhe përforcim të veprimit dhe masave operacionale në adresimin e sfidave që sjell kjo krizë, përfshirë rreziqet e trafikut të qenieve njerëzore, kërcënimit të sigurisë dhe terrorizmit. Në këtë kontekst ministrat shprehën vendosmërinë në mbrojtje të vlerave tona dhe respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.
Thellimi i agjendës gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit mbi migrimin midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte gjithashtu një tematikë e rëndësishme e diskutimeve të këtij takimi. Ministri Bushati ritheksoi angazhimin e vendit tonë për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët evropiane bazuar në ndjenjën e solidaritetit dhe kapacitetit, si dhe vullnetin për të mbajtur gjallë vlerat, parimet dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.
“Bashkëpunimi cilësor i vendeve kandidate me ato anëtare të BE-së duhet të shndërrohet në një mundësi për të përforcuar angazhimin politik për të përshpejtuar proceset integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
“Mbështesim këtë format takimi i cili mbart një vlerë të veçantë jo vetëm për të shkëmbyer eksperiencat për bashkëpunimin ndërkufitar, por edhe për të evidentuar ato rreziqe që burojnë nga ndryshimi i mjedisit të sigurisë në jug dhe lindje të Mesdheut”, u shpreh ministri Bushati. Gjithashtu, në kuadër të këtij ministeriali, Bushati zhvilloi një takim dypalësh me homologun grek Nikos Kotzias. Dy ministrat u ndalën në vijimin e komunikimit dhe procesit të nisur të trajtimit dhe gjetjes së zgjidhjeve dypalëshe, axhendës së bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Palët shprehën rëndësinë e vijimit të dialogut midis dy qeverive të vendeve tona, në kuadër të rritjes së frymës së besimit dhe nevojës së konkretizimit të veprimit, për të avancuar drejt zgjidhjeve për çështjet dypalëshe.
Ndërkohë, ministri Tahiri u shpreh: “Ramë dakord që kjo është një krizë që duhet përballur bashkarisht në nivel europian dhe rajonal, për t’ju përgjigjur domosdoshmërisë për humanizëm. Nga ana tjetër, po bashkarisht të përballemi me sfidën e garantimit të sigurisë, në mënyrë që elementët radikalë e terroristë të mos penetrojnë nëpërmjet krizës së refugjatëve”, theksoi ministri i Brendshëm shqiptar.
Top Channel