Partia Demokratike e cilëson korruptiv, klientelist dhe zotohet se do ta anulojë projektin për stadiumin e ri kombëtar, i prezantuar një ditë më parë.
Sipas opozitës, projekti i prezantuar fsheh në vetvete qendra të mëdha biznesi dhe të tregtisë dhe jo vetëm kaq.
“Përveçse e kthen stadiumin në qendrën më të madhe tregtare në kryeqytet, plani i Edi Ramës parashikon edhe ngritjen e një kulle të tmerrshme betoni, po aq korruptive dhe klienteliste. Mirëfilltazi kemi të bëjmë me një aferë financiare dhe jo me një arenë sportive”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Sipas opozitës, projektit i mungon transpranca dhe konsultimi publik, fakt që PD thotë se e ka denoncuar që në janar të këtij viti.
“Por në fshehtësi të plotë Edi Rama ka vazhduar me këtë plan antisportiv në fakt, që futbollin e ka si mbulesë për pazarin e madh me qendrën tregtare”, thotë Zhupa.
PD ka kërkuar prej investitorëve privatë që mos e mbështesin këtë projekt, që zotohet se do ta anulojë me të ardhur në pushtet.
“E ritheksojmë se është në riskun e tyre personal dhe në përgjegjësinë e tyre nëse hedhin para, në këtë projekt të Edi Ramës, që e trajton stadiumin si pronën e tij”, thuhet në deklaratën e demokratëve.
Top Channel