Shtetet e Bashkuara do të blejnë 32 tonelata ujë të rëndë, që përdoret në disa reaktorë bërthamorë, nga Irani.
Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se marrëveshja prej 8.6 milionë dollarësh synon të ndihmojë Iranin në përmbushjen e detyrimeve që parashikon marrëveshja nukleare e nënshkruar vitin e kaluar.
Autoritetet deklarojnë se uji i rëndë, i cili mund të përdoret për të prodhuar armë me gradë plutoniumi, mund të rishitet për kërkime shkencore.
Lëvizja e administratës Obama ka shkaktuar kritika tek republikanët. Paul Ryan, zëdhënës i Dhomës së Përfaqësuesve, deklaroi se bëhet fjalë për një tjetër konçesion që i bëhet vendit financues më të madh të terrorizmit në botë.
Uji i rëndë fillimisht do të magazinohet në një laborator shtetëror në Tenesi para se të shitet sërish. Në bazë të marrëveshjes bërthamore, Iranit i lejohet të përdorë ujë të rëndë në reaktorin e modifikuar bërthamor Arak, por duhet të shesë çdo tepricë bashkë me uraniumin e pasuruar në tregun ndërkombëtar.
Në një deklaratë, Departamenti i Energjitikës deklaroi se, SHBA nuk do të blejë automatikisht ujë të rëndë iranian në të ardhmen, duke nënvizuar se do të jetë përgjegjësi e Teheranit që të përmbushë detyrimet e tij.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit, John Kerry duhet të takohej me ministrin e Jashtëm iranian Javad Zarif për të diskutuar shqetësimet e Teheranit për materializimin e lehtësimit të sanksioneve që i janë premtuar nga Uashingtoni.
Top Channel