Nga java e ardhshme, Venezuela do të aplikojë shkëputje të energjisë elektrike prej katër orësh në ditë për t’u përballur me krizën në thellim të energjisë. Autoritetet thonë se ndërprerjet do të zgjasin për 40 ditë, ndërsa vendi po has probleme serioze për shkak të thatësirës së madhe që ka pakësuar ndjeshëm prodhimin hidroenergjitik.
Ky është problemi më i fundit me të cilin po përballet Venezuela që po vuan ndjeshëm nga rënia e çmimit të naftës, eksporti më i madh i vendit. Në kuadër të krizës që përkeqësohet, prodhuesi më i madh i birrës në vend kompania Polar tha se do të ndalojë prodhimin sepse nuk ka dollarë që të blejë gurë jashtë Venezuelës.
Kjo kompani prodhon 80% të birrës në Venezuelë dhe tha se 10 000 punëtorë do të preken nga kjo masë. Ndërprerja e energjisë elektrike u lajmërua nga ministri i Energjisë, Luis Motta Dominguez, i cili tha se oraret e saj do të publikohen në gazeta dhe faqet e internetit të qeverisë. Presidenti i vendit, Nicolas Maduro, ka akuzuar elitën e Venezuelës se komploton me SHBA-në për të dëmtuar ekonominë. Por në fakt është tejet e qartë se janë politikat e gabuara të qeverisë që kanë dërrmuar ekonominë e Venezuelës, duke rezultuar në pakënaqësi të madhe publike që shpesh është shfaqur edhe me protesta të dhunshme.
Top Channel