Basha për armët e Berishës: Nuk është qëndrim apo nismë, por propozim

22/04/2016 00:00

Lulzim Basha mbajti një qëndrim asnjanës për deklaratën e ish-kryeministrit Berisha. Me të vetmen fjali për këtë rast, Basha as nuk e përkrahu e as nuk u distancua kur komentoi mbi qëllimin e Edi Ramës për këtë çështje.

“Sot kapet pas një deklarate, një qëndrimi që nuk është as vendim dhe as nismë, por është një propozim për gjendjen e tmerrshme kriminale, me shpresën që do të fshijë Shullazin nga memoria e njerëzve”, deklaroi Basha.

Çdo qëndrim tjetër i Lulzim Bashës ishte denoncim për atë që e quan bashkëqeverisje të Edi Ramës me Emiljano Shullazin. “Shkrirja me krimin u thellua më tej ditë pas dite dhe Shullazi e tejkaloi ortakërinë me Tahirin, vendosi lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën”, tha Basha.

Me këtë lidhje, kreu i PD shpjegon pushtetin e pakufizuar kriminal të Shullazit, që nga gjobëvënia deri tek grabitja me kanosje të pronave dhe trafiku i drogës.

“Kjo rrugë u pre nga një grup prokurorësh me integritet, të cilët gjej rastin t’i nxis të bëjnë një hetim të plotë të çështjes, të zbardhin lidhjet kriminale nga rruga dhe skenat e krimit deri në Kryeministri”, apeloi Basha.

Me këtë lidhje, Basha shpjegoi edhe përse Edi Rama pengon, sipas tij, reformën në drejtësi dhe Byronë e Hetimit.

“Sepse Byroja Kombëtare e Hetimit është jo vetëm fundi i shullazëve, por bashkë me ta edhe fundi i Edi Ramës. Reforma në drejtësi ka nisur me shenjën më të mirë të mirëpritur nga gjithë qytetarët të goditjes së bandës më të dashur për Edi Ramën dhe Tahirin. Të tjerave po u vjen radha”, shtoi Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta