
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kanë ndërmarrë një tur të ri takimesh me opozitën.
Donald Lu dhe Romana Vllahutin ishin në mesditë në takim me ish-kryeministrin Sali Berisha, një takim që përkon me deklaratat e tij për armatimin e qytetarëve. Por zyra e ish-kryeministrit mohoi që në bisedën me ambasadorët të jetë ngritur një çështje e tillë.
Në një deklaratë për Top Channel, zyra e Berishës tha se “në takim nuk ka patur asnjë fjalë për armët, por është biseduar për çështjen e reformës në drejtësi dhe për lidhjet e qeverisë me Emiljano Shullazin”.
Pas takimit me Berishën, dy ambasadorët ishin në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas burimeve zyrtare çështja e diskutuar është ajo e reformës në drejtësi, por detajet ende mungojnë.
Një javë më parë, kur rinisi dialogu politik, demokratët hodhën idenë e miratimit sa më shpejt dhe të njëkohshëm të amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve përkatëse, që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit në drejtësi.
Këtu përfshihet ngritja e Prokurorisë së Posaçme, Byroja e Hetimit dhe vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por socialistët thonë se reforma duhet të kalojë me të gjitha amendamentet kushtetuese, e pacopëzuar.
Palët nuk bien dakord sesi duhet të funksionojnë dhe kush do t’i emëroje disa anëtarë të disa insitucioneve të reja drejtuese të gjyqësorit.
Top Channel