Volkswagen-SHBA, pakt për riblerjen e makinave “hileqare”

21/04/2016 10:35

Volkswagen dhe autoritetet amerikane kanë rëndë dakord për një marrëveshje, sipas së cilës prodhuesi i makinave do të riblejë nga klientët rreth 500 000 makina problematike në SHBA. Mediat amerikane raportojnë se kolosi gjerman i automjeteve do të krijojë edhe një fond kompensimi për pronarët e makinave.

Pritet që Volkswagen ta prezantojë këtë marrëveshje para një gjykatësi në San Francisko. Gjithsesi, këto janë raportet e mediave, pasi Volkswagen, agjensia për mbrojtjen e ambientit dhe departamenti i drejtësisë nuk dhanë komente. Më herët, gjykatësi Çarls Brejer kishte urdhëruar kompaninë Volkswagen që të sillte një propozim konkret deri më 21 prill për të hequr nga rruga makinat që ndosin mbi standarde.

Gjykatësi Brejer tha se kompania mund të riblejë makinat nga pronarët ose t’i riparojë ato, nëse merret vesh me autoritetet për t’i kthyer makinat në rrugë pas modifikimeve. Shtatorin e vitit të shkuar, në një prej skandaleve më të mëdha në botën e automobilizmit, agjensia amerikane për mbrojtjen e ambientit zbuloi se makinat e Volkswagen që shiteshin në SHBA kishin një pajisje të modifikuar tek modelet Diesel që e kuptonte kur po testohej dhe ndryshonte performancën për të nxjerrë rezultatet më të mira.

Disa modele të Volkswagen nxirrnin deri në 40 herë më shumë oksid azoti sesa norma e lejuar. Në mars, shefi i Volskwagen Matias Myler tha se pakti me autoritetet amerikane mund të zgjasë dhe të kushtojë shumë, ndërsa shtoi se fondi prej 6,7 miliardë eurosh që kompania ka bërë gati për kompensime mund të mos mjaftojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA