Partia Demokratike apeloi këtë të enjte në Kolegjin Zgjedhor vendimin e para një muaji të KQZ-së, që nuk lejoi mbajtjen e referendumit lokal ku qytetarët e Tiranës të shpreheshin për projektet e Bashkisë.
“Partia Demokratike po apelon sot në Kolegjin Zgjedhor vendimin e militantëve të shumicës së shullazëve të KQZ, për të refuzuar dhënien e formularëve ndaj qytetarëve të Tiranës për të mbledhur mbi 20 mijë firma që duhen për referendumet vendore”, ka deklaruar sekretari i PD për mjedisin Jamarbër Malltezi.
Ai është shprehur se, “KQZ e shullazëve e ktheu Kushtetutën dhe Kodin zgjedhor njësoj si statutin e Partisë Socialiste, ku nenet nuk zbatohen, por interpretohen sipas dëshirës së shullazëve të KQZ dhe të pushtetit”.
“Për fat të keq, ne jemi këtu për të kërkuar një të drejtë që na e njeh Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, por ne do të përballemi për vlerat kushtetuese, do të përballemi për të drejtat e qytetarëve që mëpërkëmben përditë dhe që përqeshen nga oligarkët e pushtetit që paturpësisht edhe gënjejnë sikur nuk do të ketë beton nëpër parqe”, ka thënë Malltezi.
Ai ka paralajmëruar se, “PD do të mundësojë që qytetarët të shprehen, që zëri i tyre të dëgjohet dhe do të pranojë mendimin e tyre, cilido qoftë ai”. “Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe ne do të bëjmë çmos që kjo gjë të bëhet e mundur me çfarëdo lloj mjeti demokratik”, ka shtuar Malltezi.
Top Channel