Berisha: Armatimi, një e drejtë; PS i kërkon Byrosë përjashtimin e ish-kryeministrit

21/04/2016 14:50

Debati i nisur nga ish-kryeministri Berisha në Parlament për armatosjen e qytetarëve kundër “qeverisë kriminale” ka vijuar edhe jashtë ambjenteve të këtij institucioni.

Vetë Berisha ka deklaruar për mediat se, “çdo qytetar ka të drejtë të mbrojë pronën e tij”. “Krimi ka penetruar në të gjitha qelizat e shtetit”, ka thënë Berisha, i cili ka hedhur poshtë krahasimet me armatimin e vitit 1997.

“Në 1997 ishte një rebelim komunist, armët erdhën nga jashtë”, ka thënë ai. Berisha ka thënë se, shqiptarët duhet të armatosen sipas ligjit amerikan për armët, i cili sipas tij “është një ligj i drejtë”.

“Vendet që kanë një ligj për armët kanë më pak kriminalitet”, ka thënë Berisha.

Duke përsëritur akuzat ndaj Tahirit se e ka dëmshpërblyer Shullazin për shërbimet e tij, ish-kryeministri ka shtuar se, “reformën në drejtësi e pengon Edi Rama dhe Viktor Ponta”.

Po jashtë ambjenteve të Parlamentit, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka bërë të ditur se PS i është drejtuar Byrosë së Kuvendit për të kërkuar pezullimin e Berishës.

“Një grup prej më shumë se 7 deputetësh të PS, që gjendeshin në sallë gjatë fjalës së deputetit Sali Ramë Berisha, kanë depozituar tashmë një kërkesë drejtuar Byrosë së Kuvendit për mbledhjen e saj brenda 48 orëve, që të ndalet Kuvendi”, ka deklaruar Balla.

Ai është shprehur se, është e trishtë që një politikan karriere të bëjë thirrje të tilla të papranueshme. “Kështu që do të jetë Byroja që pas marrjes së transkriptit të Kuvendit do të marrë një vendim. Është e papranueshme që thirrje të tilla bëhen nga partia e dytë politike në vend, një vend që është anëtar i NATO-s”, ka thënë Balla.

Sipas tij, pas kërkesës së Byrosë kjo çështje duhet t’i shkojë përmes një kallëzimi edhe prokurorisë. “Madje, prokuroria vetë mund të nisë një hetim për këtë dhe Berisha le të shkojë të sqarojë qëndrimin e tij”, ka thënë Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA