
Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin për çështjen e vlefshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, që deri para pak kohësh ishte një nga kushtet e opozitës për rikthimin e normalitetit politik në vend.
Partia Demokratike i tha gjykatës se, zoti Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde publike nga kontratat e lidhura prej kompanisë, që ai zotëronte deri disa muaj pas marrjes së mandatit të deputetit.
Por, zoti Kokëdhima e konsideroi këtë, një proces që synonte t’i shkatërronte karrierën politike. Ai i tha gjykatës se, kontratat i ka lidhur përpara se të merrte mandatin e deputetit, duke shtuar se në pozitën e tij, që e quajti të ligjshme, mund të jenë edhe deputetë të tjerë.
Gjykata nuk ka një afat ligjor se kur do ta marrë vendimin përfundimtar, nëse Koço Kokëdhima do të vazhdojë ose jo të jetë anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, rasti i deputetit Kokëdhima nuk është i vetmi, për të cilin duhet të marrë një vendim.
Të enjten e kaluar, Parlamenti votoi për të dërguar në Kushtetuese edhe çështjet për mandatet e deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli.
***
Ndërkohë që, teksa Kokëdhima u pyet në lidhje me zgjedhjet për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, ai u shpreh se nuk e ka pasur në mendje, nuk e ka dhe nuk do të garojë ndonjëherë për këtë post, as nuk ka për të qenë ndonjëherë sfidues i kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, pavarësisht dallimeve që mund të kenë për çështje të ndryshme.
Ndërkaq, i pranishëm në seancë ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili pas daljes ka dhënë një prononcim për mediat, në të cilin ai bëri të ditur shpresën që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë që do të çonte në mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima.
“Ju shihni një veprimtari të ethshme të deputetëve socialistë, të cilët janë turrur për të përfituar nga pasuritë publike në kundërshtim me ligjin. Rasti i Kokëdhimës është një rast i tillë ku deputeti, në kundërshtim me Kushtetutën, ka kryer veprimtari private, ndërkohë që e ka të ndaluar duke qenë se ka pasur një funksion publik, e njëkohësisht ka përfituar nga fondet publike në më shumë se 150 raste. Shpresoj njëkohësisht që gjyqtarët nuk do të jenë marrë në telefon për t’u thënë që do t’u këpusin këmbët, si në rastin e gjyqtares së Krujës. Nga ana tjetër, mendoj se e kam të vështirë të besoj, që qeveritarët e sotëm nuk do të dërgojnë Shullazët për t’u bërë presion edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç po bëjnë ndaj kandidatëve për rektor të universiteteve, ashtu siç kanë bërë edhe për garat e tyre të brendshme në parti”, tha Ristani.
Në fund, Ristani ka theksuar se demokratët do të vazhdojnë në linjën e tyre të “dekusarizimit” të Parlamentit, sikurse kanë arritur – siç thonë, – disa fitore të vogla, sepse do të vazhdojë edhe më tutje dekriminalizimi i Parlamentit dhe jetës politike të vendit.
Top Channel