Takimi me Fleckenstein, Basha: Reforma në Drejtësi nis nga Shullazi. Prioritet, zgjedhjet

19/04/2016 00:00

Çështjen e Emiliano Shullazit, kreu i opozitës e cilësoi si një test jo vetëm për “Dekriminalizimin”, por edhe për Reformën në Drejtësi, duke e trajtuar si sfidë për ndarjen e politikës nga krimi.

“Shpresoj që kjo të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim, pavarësisht përpjekjeve të lidhjeve politike të Emiliano Shullazit, që shkojnë drejtpërdrejt te Saimir Tahiri dhe shefi i tij politik. Çështja të shërbejë si një test i monitoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, e të shërbejë në të vërtetë si hapi i parë kuptimplotë, rezultati i parë i Reformës në Drejtësi, edhe pa u miratuar paketa ligjore”, tha kryetari i PD-së, Basha.

Ndarjen e politikës nga krimi, Lulzim Basha e lidh drejtpërsëdrejti me zgjedhjet dhe për arritjen e standardeve të tyre, opozita po kërkon ndihmën e partnerëve amerikanë dhe europianë.

“Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer fuqimisht në fokusin e tyre, si një çështje urgjente, me të cilën Brukseli dhe Uashingtoni po merren, e përmes të cilës do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi më tej Lulzim Basha.

* Knut Fleckenstein, në fund të takimit me Metën deklaroi se kishte zbritur në Tiranë për të ndjekur ecurinë e Reformës në Drejtësi, por në fund të takimit me të, Lulzim Basha foli edhe për dy prioritete të tjera të opozitës, e që të dyja lidhen me zgjedhjet.

“Zmbrapsjen dhe çmonitimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare, shitblerja e votës dhe ndikimi i krimit jo vetëm si kandidat, por edhe si kontigjente intimiduese të kandidatëve, qytetarëve dhe administratës zgjedhore. Kjo ka marrë pjesën më të madhe të diskutimit”, u shpreh Basha.

Top Channel