
Koreja e Veriut, e cila zhvilloi testin e katërt bërthamor në janar në kundërshtim të rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, mund të mësojë shumë nga marëveshja e arritur mes Iranit dhe fuqive botërore për të ngrirë programin e saj bërthamor. Kështu është shprehur zv.Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë kësaj të marte.
Veriu komunist, i cili kërcënon rregullisht Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, shumë herë më të pasur dhe demokratike, kreu gjithashtu lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi gjatë shkurtit, sërish në shkelje të sanksioneve të OKB-së.
Këshilli i Sigurisë zgjeroi gjatë muajit të kaluar këto sanksione, me synimin për t’i pamundësuar Koresë së Veriut financa të mjaftueshme që do t’i shfrytëzonte në programin e saj të armatimit, bazuar mbi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina njëkohësisht.
“Irani bëri një zgjedhje fundamentale. Republika Islamike vendosi të ngrijë, por edhe të tërhiqet nga programi i saj bërthamor, si dhe të lejonte inspektorët ndërkombëtarë të shkonin atje, të merrnin kohën dhe hapësirat e duhura për të vendosur nëse ne mund të arrinim një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha Blinken për reporterët e interesuar në Seul.
Irani dhe 6 fuqitë botërore arritën të nënshkruanin marrëveshjen bërthamore në korrik të 2015-s, gjë që i hapi rrugë lehtësimit të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor nga Teherani.
“Sigurisht që shpresojmë se, edhe Republika Demokratike Popullore e Koresë (Veriu) do të frymëzohet nga ai shembull”, tha Blinken, duke folur pas një takimi me homologët e tij japonezë dhe koreanojugorë.
Progresi i arritur në fushën diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, por edhe me Birmaninë, demonstron vullnetin e Amerikës për t’u angazhuar seriozisht me vende si Koreja e Veriut, tha më tej Blinken.
“Nëse një vend, qoftë edhe ai që ka dallimet më të thella me ne, do të jetë i gatshëm të angazhohet seriozisht dhe në mënyrë të besueshme në përgjigje të kërkesave të komunitetit ndërkombëtar, atëherë edhe ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Blinken.
Blinken deklaroi të martën se, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në mënyrën më të ashpër në rast të ndonjë testi tjetër bërthamor të Koresë së Veriut, vetëm pak ditë pas përpjekjes së dështuar të Veriut për të lëshuar atë që, sipas Amerikës, ishte një raketë balistike me rreze të mesme veprimi.
Top Channel