
Kutitë e votimit janë hapur këtë të martë në garën më të ashpër të nominimit të asaj që konsiderohet tashmë si një fushatë tepër “e egër”, duke e bërë Nju Jorkun si trofeun më të lakmuar për të gjithë delegatët, e që do të japë të drejtën për “t’u mburrur” ndaj atyre që priten të forcojnë pozicionet e tyre si dy pretendentët kryesorë për përballje në Presidencialet e nëntorit në SHBA.
Sondazhet tregojnë se, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump janë në krye me shifra dyfishe kundrejt rivalëve respektivë të tyre, në një shtet sfonde të ndryshme, nga “Wall Street”-i deri te qytetet e vuajtura industriale veriore.
Një fitore e konsiderueshme e Trumpit do ta çonte atë shumë pranë sigurimit të shumicës së nevojshme të delegatëve republikanë, një objektiv që mbetet ende për t’u arritur, e për të cilin rivali Ted Cruz, senator i Teksasit, u detyrua të fillonte një fushatë edhe më të gjallë në mënyrë që të bënte të mundur mbajtjen e Konventës së korrikut për nominimin republikan.
Për Clintonin, një fitore do t’i jepte një shtysë të fuqishme pas një serie fitoresh të rivalit të saj, senatorit Bernie Sanders. Ndryshe nga Trump, Clinton është shumë më në avantazh sa i përket numrit të delegatëve, saqë duket thuajse e pamundur për Sandersin ta kapë.
Hillary Clinton votoi në Chappaqua, një periferi e Nju Jorkut, aty ku mbështetës të shumtë e kishin pritur jashtë qendrës së votimit me brohorima e slogane. Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit dhe ish-presidenti Bill Clinton votuan në institucion arsimor, që shërben si shkollë fillore dhe gjimnaz njëkohësisht.
Ndërkohë, të tjerë mbështetës të interesuar u mblodhën mëngjesin e së martës jashtë Kullës “Trump”, për të kapur qoftë edhe një foto rastësore me të, teksa dilte për të shkuar në qendrën e tij të votimit. Trotuaret përreth Sinagogës qendrore në Manhattan, ku edhe votoi Trump, ishin të mbushura me mbështetës dhe protestues njëkohësisht.
Ndërkohë, vet fushata e Sanders duket se ka përjashtuar një perspektivë pozitive të tij në Nju Jork, duke cituar si pengesë primaret e mbyllura që zhvillohen në këtë shtet, gjë që nuk lejon pjesëmarrjen e të pavarurve. Sipas senatorit të Vermontit, rreth 3 milionë të pavarur në Nju Jork nuk do të mund të votojnë në të ashtuquajturat “primare” të së martës, për shkak të këtij rregulli.
Ashtu si Sanders, edhe Cruz është i destinuar të humbasë në Nju Jork, teksa sondazhet e nxjerrin jo vetëm pas Trumpit, por edhe pas guvernatorit të Ohios, John Kasich, i cili të vetmet “primare” të fituara shënon ato në shtetin e tij të lindjes. Që prej së hënës, Cruz u duk se e kishte mendjen te garat e ardhshme në shtetet lindore, përfshi Marylandin, ku do të votohet javën e ardhshme.
Top Channel