
Pikërisht në Nju Jorkun e tij, Dondal Trump bëri një gafë që zor të harrohet lehtë. Miliarderi amerikan ngatërroi njërën prej datave më dramatike në historinë e vendit, 11 Shtatorin, duke iu referuar aksidentalisht me një muaj tjetër.
“Isha aty, – tha kryesuesi i garës për nominim në kampin republikan, – dhe i pashë policët e zjarrfikësit tanë më 11 korrik në Qendrën Botërore të Tregtisë fill pas shembjes së saj. Dhe pashë njerëzit më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë në veprim”, shtoi ai, pa e korrigjuar gabimin e bërë.
Lapsusin, për amerikanët e bën edhe më evident fakti që, 11 korriku apo “7-Eleven”, përveçse një datë, është dhe emri i një rrjeti shumë të njohur dyqanesh, i pranishëm në 17 vende të botës, por sidomos në Japoni e Shtetet e Bashkuara, ku ka mbi 58 mijë pika shitjeje.
Mbase ishte dhe ky faktor, që i ngatërroi gojën Trumpit, por sërish, për një person me ambicien për t’u kthyer në President të Amerikës, gabimi nuk është i vogël. Trump pretendon të fitojë “pjesën e luanit” sa i takon delegatëve të Nju Jorkut dhe përgjigjen ndaj sulmeve terroriste të vitit 2001 e ka përshkruar si “vlerë të madhe të këtij qyteti”.
Kjo nuk është hera e parë, që manjati “rrëshqet” në logjikë, por 6 janë gafat e tij më të mëdha gjatë kësaj fushate, ndër të cilat deklarata se të rinjtë afro-amerikanë nuk kanë gjendje shpirtërore, etiketimi i meksikanëve si kriminelë dhe përdhunues, ideja e ngritjes së një muri në kufirin me Meksikën, apo pretendimet se John McCain nuk është hero lufte.
Top Channel