Tjetër tragjedi në Mesdhe, përmbyset anija me 400 refugjatë somalezë

18/04/2016 00:00

Situata është ende e paqartë, por autoritetet somaleze konfirmuan përmbysjen e një anijeje me 400 emigrantë në bord, shumica nga ky vend, çfarë ushqen frikën se një pjesë e tyre mund të jenë mbytur në ujërat e Mesdheut.

Fatkeqësia u konsumua jo shumë larg brigjeve egjiptjane. Mësohet se, disa prej të mbijetuarve janë dërguar në njërin prej ishujve grekë.

Tragjedinë e konfirmoi edhe presidenti italian Sergio Mattarella. “Na duhet të reflektojmë veçanërisht sot kur po përballemi me një tjetër tragjedi, ku janë shënuar qindra viktima, pikërisht në ditën kur përkujtojmë vitin e parë të një incidenti tjetër të rëndë nga mbytja e anijes që i kushtoi jetën 800 personave”, u shpreh Mattarella.

Plot 18 mijë vetë, nga sa dëshmojnë të dhënat e OKB-së, janë përpjekur të kalojnë këtë vit në Europë përmes detit, e rreth 800-ve prej tyre, kjo tentativë u ka kushtuar jetën. Rikthimi i itinerarit të rrezishëm të Mesdheut u paralajmërua shumë shpejt, pas mbylljes së rrugës ballkanike dhe nënshkrimit të marrëveshjes BE-Turqi.

Vetëm në Libi janë me dhjetëra mijëra vetë, që presin mundësinë për të udhëtuar drejt Italisë. Përpjekjet për frenimin e vërshimit të emigrantëve drejt kontinentit të vjetër kanë arritur ta reduktojnë disi fluksin, por jo ta ndalojnë plotësisht, ndërsa ngrohja e motit ka shumë mundësi ta ripërtërijë ndjeshëm nisjen e anijeve me klandestinë në Mesdhe.

Disa ekspertë mendojne se, në planin afatgjatë, situata mund të ketë vetëm një zgjidhje, e ajo është që BE-ja të krijojë mundësi ligjore për sistemimin në Europë përmes programeve humanitare, vizave e bashkimit familjar.

Top Channel