Gjykata e Apelit ka caktuar datën 22 prill për të dhënë vendimin e formës së prerë ndaj Xhelal Mziut, kryetarit të Bashkisë së Kamzës, i cili në prill të vitit të kaluar u dënua me dy vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Së bashku me Mziun janë dënuar me nga 6 muaj burg edhe dy ish-drejtorë të kësaj bashkie. Shkak për shtyrjen e sencës, ku pritej të shpallej vendimi, u bë dorëzimi nga mbrojtja i provave të reja.
Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila e cilëson të ligjshme taksën e shfrytëzimit të ambientit për biznesin, të vendosur nga Bashkia e Kamzës e për të cilën Mziu ishte shpallur fajtor në përballjen me kompaninë që e kishte paditur.
Përballë kësaj prove të re, përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit kërkoi kohë që të njihej me të, ndërsa kolegji penal caktoi datën 22 prill për të dëgjuar pretendimet e prokurorisë, si dhe për dhënien e vendimit të formës së prerë.
Në bazë të këtij vendimi, Mziu ose do të fitojë pafajësinë, ose rrezikon arrestimin e menjëhershëm, pasi gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me 2 vite burgim.
Top Channel