Në një deklaratë për mediat, deputetja Jorida Tabaku ka përshëndetur në emër të Partia Demokratike nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP.
Por krahas kësaj, Tabaku ka akuzuar kryeministrin Rama se, vetëm përuron projekte të nisura nga qeveria e kaluar, në një kohë kur qeveria e tij nuk ka bërë asnjë investim serioz në këto 3 vjet qeverisje.
“Por sot edhe një herë, u pa se sa qesharak bëhet kryeministri, i cili jo vetëm nuk përmend asgjë për punën e mëparshme, por i kapur rëndë nga sindroma e vitit zero flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet”, ka deklaruar Tabaku.
Sipas saj, “ekonomia shqiptare ende vazhdon të mbahet në patericat e investimeve të qeverisë së shkuar, sepse vetë Edi Rama ka të tjera prioritete”.
“Pasurimin e tij dhe oligarkëve të tij përmes tenderave dhe konçesioneve korruptive me paratë e taksave të rritura të shqiptarëve”, ka thënë Tabaku.
Në vlerësimin e saj, “ekonomia sot reflekton plotësisht dështimin e zotimeve që ky kryeministër bëri 3 vjet më parë”.
“Edi Rama ka mbi supe damkën e rënies së investimeve të huaja me 57 mln euro më pak (5.7%) në raport me vitin zgjedhor 2013. Sot, fatkeqësisht Shqipëria nuk është më një vend atraktiv për investimet e huaja, ashtu siç e kanë konfirmuar edhe investitorët gjermanë apo amerikanë. Asnjë investitor strategjik nuk ka ardhur e nuk do të vijë në qeverisjen e Edi Ramës. Shumë prej tyre janë larguar dhe të tjerë janë bërë gati të ikin”, ka vijuar Tabaku.
Kjo situatë, ka shtuar ajo, “vjen sepse Shqipëria vuan nga korrupsioni i përhapur gërryes, siç thotë Departamenti amerikan i Shtetit, dhe është vendi me taksat më të larta në rajon, siç thotë raporti i Freedom House”.
“Sot në Shqipëri, për herë të parë në 6 vitet e fundit konsumi ka rënë në vlera negative. Shqipëria ka nivelin më të ulët të besimit ndër biznese e konsumatorë në 15 vitet e fundit, siç thotë Banka e Shqipërisë.
Shqipëria është e fundit në rajon sa i takon transformimit, siç edhe Indeksi Gjerman i Transformimit (Bertelsmann Stiftung) raporton, është produkt i tre vjetëve keqqeverisje të Edi Ramës.
Thellimi i varfërisë, papunësia që shtohet çdo ditë, taksat e larta, faturat e kripura, gjobat me dorë të rëndë, rënia e fuqisë blerëse, rënia e investimeve, konsumit dhe mirëqenies, ky është realiteti që prodhuan tre vjet mashtrime, dështime, kërbaç dhe korrupsion”, ka shtuar deputetja demokrate.
Top Channel