Gazsjellësi TAP, në një gjurmë prej 215 km në Shqipëri, do të përbëhet nga 13 mijë tuba, një pjesë e të cilave tashmë qëndron e magazinuar në Spitallë të Durrësit.
Sipas ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, vetëm në gjysmën e realizimit të projektit do të punësohen drejtpërdrejt apo indirekt mbi 2.000 persona.
Menaxheri i projektit, Karl Robert thotë se, përfshirja e forcës punëtore shqiptare në projekt do të vijojë edhe përgjatë fazave të tjera.
“Edhe punimet në këtë shesh magazinimi, që sheh pas meje, po bëhen nga shqiptarë. Po ashtu edhe transporti i tubacionit nga Porti i Durrësit është bërë nga kompani shqiptare. Mendojmë se me mbështetjen dhe me trajnimin e duhur, performanca e tyre mund të jetë e klasit botëror”, tha Karl Robert, menaxher i projektit TAP.
Projekti i TAP-it u miratua vetëm një jave pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Gjithsesi, për opozitën, merita për këtë projekt i takon vetëm Qeverisë së Sali Berishës.
“Të vetmet investime të huaja në këto 3 vite janë Devolli dhe TAP-i”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Kryeministri Rama ia njohu meritat paraardhësit të tij Berisha, por në një sens tjetër, atë kritik. Sipas tij, qeveria e mëparshme ka negociuar kushte diskriminuese për Shqipërinë për gazsjellësin TAP. Një gjë, që ai premtoi ta rregullojë.
“Vumë re me keqardhje që kontrata e nënshkruar nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi simetrik, si me vendet e tjera ku kalon TAP-i, përfshi vendin fqinj jugor Greqinë. Kemi çelur negociatat për të marrë një përfitim simetrik”, tha kryeministri Edi Rama.
***
Një hapësirë prej 90.000 metrash katrorë në zonën e Spitallës, në Durrës, do të shërbejë si vend magazinimin i materialeve, kryesisht tubacione, që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik në Shqipëri. Për pjesën shqiptare do të përdoren 13.000 të tillë, 90% e të cilëve me gjatësi 18 metra dhe pjesa tjetër prej 12 metrash.
Në ceremoninë e mbajtur këtë të hënë ishte i pranishem edhe kryeministri Edi Rama, i cili e vuri theksin tek përfitimet direkte që ka Shqipëria si investimet në infrastrukturë, shitjen e tokës në zona të caktuara apo edhe punësimi.
“TAP ka kontribuar në rehabilitim shkollash, organizim fushatash për sigurinë dhe shëndetësinë. Nga ana tjetër, pikërisht këtu në Spitallë, ne e konsiderojmë ardhjen e kësaj baze të rëndësishme materiale si ogur të mirë për projektin tonë të krijimit të zonës së lirë ekonomike, ku synojmë të përthithim mbi 1 miliard dollarë investime dhe të hapim të paktën 15 mijë vende pune në 5 vitet e ardhshme”, deklaroi Rama.
Ndërsa ministri i Energjetikës, Damian Gjknuri vlerësoi faktin se ky është një proces që i përket shqiptarëve, pavarësisht se është një investim i huaj.
“Lajm i mirë është që po ndërtohet një projekt shekullor. Me ardhjen e gazit do vihet në punë edhe termocentrali i Vlorës. Jam i kënaqur. Do bashkëpunojmë edhe me institucione të tjera që çdo gjë të përfundojë pa incidente”, tha Gjiknuri.
Top Channel