
Një shpërthim i fuqishëm në bordin e një autobusi ka shkaktuar të paktën 20 të plagosur gjatë së hënës në Jeruzalem, siç bën të ditur media izraelite, ndërkohë që policia shton se ka dyshime që ngjarja të kenë ndodhur ose si pasojë e një sulmi terrorist, ose si rezultat i një zjarri prej shkaqesh të tjera.
Pamjet e para televizive të transmetuara shfaqnin tymin që dilte nga dy autobusë të djegur, e zjarri që ka shpërthyer te njëri prej tyre ka gjasa të ketë prekur edhe tjetrin. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në lagjen Derech Hebron, në Jugperëndim të Jeruzalemit, shumë pranë kufirit me Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Ende nuk është bërë e qartë nëse mes të plagosurve ka të vdekur apo jo. Shërbimet e emergjencave civile njoftuan se kishin transportuar me autoambulanca 10 persona të plagosur, ndërsa disa të tjerë kishin mbetur në vendngjarje.
Sulmet ndaj autobusëve izraelitë nga kamikazë palestinezë kanë qenë edhe shkaku kryesor i trazirave në vitet 2000-2005, por që prej atëherë kanë qenë shumë herë më të rralla.
Një zëdhënëse e policisë izraelite tha fillimisht se kishte të dhëna që incidenti i së hënës ka qenë një sulm terrorist, por në një deklaratë të përditësuar më vonë theksohet se, zjarri mund të ketë shkrumbuar një autobus të boshatisur, e flakët e të cilit kishin prekur edhe një autobus tjetër me pasagjerë në bord.
Top Channel