Të ardhurat mujore të Shtetit Islamik janë rrudhur me 30% duke kaluar kështu nga 80 milionë dollarë që ishin vjet në këtë kohë, në 56 milionë. Kasat e kalifatit janë gjithmonë e më pak të mbushura thonë raportet në mediat e huaja.
Militantët po shtrëngohen të gjejnë mënyra të reja për të mbledhur para, përfshirë këtu rritjen e taksave apo vendosjen e gjobave nga më të çuditshmet, siç është ndëshkimi i atyre që dalin në rrugë pa çorape, apo kujt nuk është në gjendje të citojë saktë vargje nga Kurani.
Sipas raportit të ri të kompanisë së konsulencës dhe analizave të mbrojtjes, “IHS Inc.”, ISIS vazhdon të mbetet një forcë e rëndësishme në rajon.
Por kjo rënie e të ardhurave të tij është domethënëse dhe dëshmon se grupi do ta ketë gjithmonë e më të vështirë të menaxhoje në periudhën afatgjatë territoret që kontrollon.
Rreth 50% e parave të Shtetit Islamik vijnë nga taksat dhe konfiskimet, 43% nga fitimet e naftës ndërsa pjesa tjetër përftohet nga trafiku i lëndëve narkotike, shitja e energjisë elektrike dhe donacionet.
Këto 15 muajt e fundit, ISIS ka humbur gati 22% të territorit dhe popullata e kalifatit është tkurrur nga 9 ne 6 milionë banorë.
Më pak njerëz do të thotë më pak para nga taksat e kjo vlen edhe për pronat e tokat e konfiskuara. Dëmtimi i infrastrukturës nga sulmet ajrore amerikane ka ndikuar dhe ai në uljen e fitimeve me 26%.
Top Channel