
Kërkimi për të mbijetuar nën gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara prej tërmetit 7.8 ballësh të së shtunës vazhdon ethshëm në Ekuador.
Presidenti Rafael Correa paralajmëroi se, bilanci i vdekjeve, i fiksuar për momentin në 350, mund të rëndohet edhe më shumë. Vetëm në Pedernalesin e ndodhur shumë pranë epiqendrës mendohet që numri i të vdekurve mund të jetë gati 400.
Lëkundjet e dhunshme të tokës e kanë rrafshuar thuajse të gjithë qytetin, tha kryebashkiaku Gabriel Alcivar. Ai theksoi sidomos faktin që, mes shumë godinave të shembura ka edhe hotele, ku qëndronin mjaft turistë të huaj.
“Kudo sheh trupa të pajetë”, tha ai për mediat lokale. Pamje të dëshpëruara mbërrijnë nga zonat më të goditura prej tërmetit shkatërrimtar, ku punonjës shpëtimi e familjarë gërmojnë deri edhe me duar, me shpresën se do të arrijnë në kohë të shpëtojnë jetë.
Sipas Correas, ka prova se, nën rrënoja gjenden ende njerëz të gjallë. Gjetja e tyre është prioriteti ynë absolut, deklaroi kreu i shtetit gjatë një prononcimi në televizionin kombëtar.
Rreth 2.000 janë të plagosurit nga tërmeti më i fuqishëm që godet vendin e varfër të Amerikës së Jugut prej dekadash të tëra. Ndërkohë në Portoviejo, lëkundjet e tokës shkatërruan pjesërisht burgun e qytetit, duke i lejuar arratisjen gati 100 të dënuarve. Disa prej tyre, sipas ministres së Drejtësisë, Ledy Zuniga, u kapën shpejt, por të tjerë vazhdojnë të enden të lirë.
Top Channel