
Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, të cilët bënë thirrje për të bojkotuar referendumin e Partisë Socialiste, të zhvilluar dy javë më parë, zyrtarizojnë kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Këtë kërkesë ata e kanë dërguar të hënën në Komisionin Zgjedhor të socialistëve.
Kërkesa për hapjen e kutive nuk është e vetmja. Një tjetër kërkesë e tyre është vënia në dispozicion e listës së zgjedhësve që morën pjesë në votim.
Blushi dhe Hafizi si kërkesë të tretë rendisin marrjen e proces-verbaleve të numërimit. Sipas tyre procesi i organizimit, zhvillimit dhe administrimit për votimin në referendum u bë në shkelje flagrante të një sërë nenesh të Kodit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Këto kërkesa dy deputetët socialistë i bazojnë në qëndrimin e tyre si përfaqësues të alternativës referendare kundër çështjes së shtruar në referendum.
Fill pas referendumit, shqetësimeve të ngritura nga Blushi, kryetari Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi u dha një përgjigjie të prerë.
“Referendumi është një histori e mbyllur. Drejtohuni Komisionit të Garancive Statutore”, është shprehur ai.
Top Channel