SHBA, Cruz merr Wyoming pa zgjedhje. Irritohet Trump: Manipulim

17/04/2016 00:00

Pretendenti për nominim në radhët e republikanëve, senatori i Teksasit, Ted Cruz ka fituar të 14 delegatët e mundshëm të Wyomingut në të ashtuquajturat “primare” të së shtunës, duke mposhtur rivalin Donald Trump, i cili bëri shumë pak përpjekje për të fituar shtetin rural, dhe duke e ngushtuar edhe më tej diferencën me të.

Cruz duket se po përpiqet të shmangë mundësinë që Trump të sigurojë 1237 delegatët e nevojshëm për të siguruar automatikisht nominimin e republikanëve në Konventën e korrikut, që do të zhvillohet në Cleveland. Duke vazhduar të korrë fitore të vogla, si kjo në Wyoming, Cruz duket se po fiton terren drejt asaj që quhet “thelë e madhe”, Nju Jorkut, përkundrejt manjatit të pasurive të paluajtshme, i cili deri më tani ka dështuar ta kthejë fokusin në fushata të nivelit lokal, tepër të domosdoshme për të fituar delegatë.

Trump ka qenë sërish kritik ndaj procesit, madje atë të së shtunës e ka quajtur “të manipuluar”, teksa fliste në një miting të mbajtur në Syracuse të Nju Jorkut. Ai është ankuar në të kaluarën edhe për Coloradon, që ia dhuroi të 34 delegatët e vet senatorit të Teksasit, edhe pse nuk zhvilloi zgjedhje. Trump tha se mbështetësit e tij po irritohen në vazhdimësi me shtete të tilla si Wyoming dhe Colorado.

“Ata po bëhen gjithnjë e më përbuzës, po irritohen të themi, – tha Trump në Syracuse. – Shefat ua hoqën mundësinë e të votuarit”.

Deri më tani, Trump ka fituar 21 shtete në garën për nominim, kundrejt 10 të Cruzit, dhe sa i përket numrit të delegatëve, miliarderi udhëheq ndaj senatorit të Teksasit me vetëm 196 delegatë (755 me 559), gjë që nënkupton se ai duhet të fitojë edhe afro 60% të shteteve të mbetura përpara mbajtjes së Konventës politike të Partisë Republikane në korrik.

Top Channel