Meta: Integrimi duhet të ecë paralelisht me projektet ekonomike

17/04/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbajti një fjalim për proceset integruese në sesionin e dytë të Konferencës së XIV të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane. Në këtë konferencë që u zhvillua në Split të Kroacisë, Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i vendeve të rajonit për proceset integruese dhe zhvillimin ekonomik.

“Ne nuk duhet t’i largohemi dialogut tonë të përvitshëm dhe duhet të sigurojmë rezultate reale, të prekshme për qytetarët tanë. Që nga nënshkrimi i Deklaratës së Ankonës, iniciativa ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e shtrirjes gjeografike, politike dhe ekonomike të Bashkimit Europian drejt Adriatikut, Jonit dhe më tej drejt Mesdheut. Ne duhet ta shikojmë Strategjinë e re të BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian si një tregues të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e interesit që BE ka ndaj rajonit tonë dhe si një qëllim të arritshëm dhe të mundshëm. Përvoja e modeleve pozitive të vendeve të Danubit dhe atyre Balltike të funksionimit dhe të rezultateve të kësaj strategjie na jep shpresë se ky aksion i përbashkët i BE-së dhe NAI do të japë fryte pozitive për vendet tona”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Meta vijoi më tej duke pohuar se Shqipëria beson fort se forca e iniciativës tonë gjendet në dimensionin e saj europian, që do të thotë zhvillim i prekshëm në proceset integruese të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në BE. “Por, integrimi duhet të ecë paralelisht me projektet ekonomike dhe infrastrukturore në vend. Dhe besoj se të gjitha sfidat e identifikuara nga EUSAIR, nëse trajtohen së bashku me BE-në, do të ndihmojnë ndërlidhjen dhe zhvillimin e rajonit tonë, dhe ky do të ishte një lajm i mirë për vetë BE-në, pavarësisht lodhjes apo dhe vetë-lodhjes së saj. EUSAIR është një mundësi e re për vendet tona dhe gjithë rajonin për të rritur bashkëpunimin, duke bashkërenduar përpjekjet, idetë, projektet dhe qëllimet tona integruese. Vëmendja që i kushton Komisioni Europian dhe disa vende anëtare të BE-së është një shtyllë e sigurt në funksion të rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vendet tona. EUSAIR është një mundësi e mirë për rajonin tonë, pasi mbështet vendet tona në zbatimin e politikave të BE-së dhe forcon aktivitetin tonë të përbashkët me vendet anëtare të BE-së”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Top Channel