Macron, i Francës: Britania përballet me pasoja të rënda nëse del nga BE

17/04/2016 00:00

Britania do të përballet me pasoja të rënda, nëse voton në favor të largimit nga Bashkimi Europian. Paralajmërimi i fundit në radhë vjen nga ministri francez i Ekonomisë, Emmanuel Macron, këtë të dielë, duke u bërë kështu një prej politikanëve të shumtë të huaj që flasin mbi ndikimin që do të ketë një “Brexit” i mundshëm.

Britania do të votojë në një referendum që do të mbahet më 23 qershor, për të vendosur nëse do të qëndrojë në bllokun 28-anëtarësh apo jo, ndërkohë që ata që mbështesin daljen e ishullit britanik thonë se vendi, me shumë lehtësi mund të rinegociojnë marrëveshjet tregtare me BE-në dhe të rifitojë statusin e tij në botë.

Por, Macron është shprehur për BBC-në se, Britania do të vuajë shumë për të rifituar aksesin në tregun e përbashkët të unionit europian, mund të shohë një fluks gjithnjë e më të rritur refugjatësh t’u drejtohen brigjeve të saj, si dhe do të humbiste fuqinë e saj negociuese në bisedimet për të mbrojtur industrinë e saj të përvuajtur të çelikut kundrejt konkurrencës kineze.

“Ju jeni një vend i madh dhe e ardhmja juaj, si e një vendi të madh, nuk është jashtë BE-së. Duhet të jetë domosdoshmërisht pjesë e unionit dhe së bashku me vendet e tjera të mëdha ta transformojmë BE-në”, tha ai në një shfaqje televizive. “Sigurisht që do të përballeni me pasoja nëse largoheni, sepse ndryshe nuk do të kishte kuptim ekzistenca e një Bashkimi Europian”, tha ai, duke shtuar këtu se, nëse Britania largohet, vende të tjera do të mund ta ndiqnin këtë shembull.

Ai përsëriti një paralajmërim të zyrtarëve francezë dhe kryeministrit David Cameron, se mijëra refugjatë mund të dyndeshin në Britani nga Franca, nëse ishulli largohej nga BE-ja, një gjë që është tepër alarmante. Disa udhëheqës të huaj kanë bërë thirrje që Britania të qëndrojë në bllok, teksa pritet që edhe Presidenti amerikan Barack Obama ta mbështesë fushatën e kryeministrit britanik Cameron për të qëndruar, kur shefi i Shtëpisë së Bardhë të vizitojë Londrën këtë javë.

Top Channel