Kuba, Raul Castro: Elita duhet të rinohet, s’ka më udhëheqës mbi 70 vjeç

17/04/2016 00:00

Udhëheqësit e ardhshëm të Partisë Komuniste të Kubës duhet të tërhiqen në moshën 70-vjeçare, në mënyrë që t’ua hapin rrugën “gjakut të ri”. Kështu është shprehur Presidenti Raul Castro gjatë së shtunës, kur sugjeroi se anëtarët e vjetër të partisë, të cilët shpresojnë për ndonjë promovim, duhet të shkojnë e të luajnë me nipërit e mbesat e tyre.

Drejtuesit aktualë të Kubës përfshijnë disa 70 dhe 80-vjeçarë, veteranë të revolucionit të Fidel Castros të vitit 1959. Megjithatë ekziston një ndjenjë urgjence në rritje ndaj tyre, në mënyrë që të hartojnë planet e vijimësisë, në mënyrë që të mbajnë gjallë partinë kur ata të ikin.

Raul Castro është vet 84 vjeç, por pas tërheqjes së planifikuar të tij nga qeveria brenda dy viteve, vendi ishullor pritet të udhëhiqet nga dikush me një tjetër mbiemër, për herë të parë që prej afro 60 vitesh, kur vëllai i tij rrëzoi një qeveri proamerikane.

Komentet e tij, të bëra gjatë një fjalimi prej dy orësh në përurimin e Kongresit të Partisë Komuniste, që mbahet dy herë në dekadë, u pritet me heshtje, ndoshta sepse disa prej këtyre anëtarëve pleq u zhgënjyen me idenë.

“Pra, seriozisht. Nuk e kuptoj këtë heshtje të shkaktuar prej kësaj teme. Harrojeni promovimin, sepse nuk mund të viheni në udhëheqësinë e vendit ndërkohë që nuk mund të bëni gjë”, tha Castro, duke iu sugjeruar të vjetërve të partisë të vijojnë si aktivistë dhe të shpenzojnë më shumë kohë me nipërit e mbesat.

Përpara kongresit, udhëheqësia aktuale e partisë përballet me pakënaqësira mes anëtarëve të rinj, kritikë ndaj procesit të ngadaltë të reformave të premtuara ekonomike përgjatë 5 viteve të fundit, si dhe mungesës së transparencës.

Fidel Castro, përvjetori i 90 i të cilit do të shënohet në gusht, u tërhoq nga pushteti në vitin 2008 pas një serie sëmundjesh, duke ia pasuar pushtetit të vëllait të tij, duke futur në fuqi edhe kufizimin prej dy mandatesh 5-vjeçare për krerët e rinj të shtetit. Ky kufizim pritet ende të testohet nëse do të respektohet.

Top Channel