Jugu: Koreja e Veriut, e gatshme për testin e 5-të bërthamor

17/04/2016 00:00

Koreja e Veriut pritet të zhvillojë testin e pestë bërthamor në të ardhmen e afërt, e me gjasa përpara sesa të mbahet Kongresi i partisë në pushtet në fillim të majit, bën të ditur një raport mediatik i së dielës, që citon burime të qeverisë koreanojugore bazuar mbi leximin që i është bërë aktivitetit përreth vendit ku pritet të zhvillohet testimi.

Lajmi në lidhje me shenjat se Veriu komunist është i gatshëm të ndërmarrë një tjetër test të ndaluar bërthamor vjen në një kohë kur Peniani përgatitet për Kongresin e Partisë së Punëtorëve në fillim të muajit të ardhshëm, aty ku udhëheqësi komunist Kim John-un pritet të mburret për arritjet e tij në ndërtimin e programit të armatosjes.

Mundësia që Koreja e Veriut të zhvillojë testin e pestë bërthamor, siç dyshohet brenda pak javësh, është rritur së tepërmi, sidomos pas dështimit të lëshimit të një rakete gjatë së premtes, gjë që përbën një goditje shqetësuese për udhëheqësin Kim, thonë zyrtarë të Koresë së Jugut, por edhe ekspertë ndërkombëtarë.

“Krahasuar me muajin e kaluar, frekuenca e lëvizjes së mjeteve, krahut punëtor dhe pajisjeve të tjera është rritur me 2 apo trefish së fundi”, bën të ditur agjencia e lajmeve “Yonhap”, duke cituar burime të shumta qeveritare.

Testi i mundshëm, nëse ndodh, do të pasojë atë të katërt të zhvilluar në janar, si dhe lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi në shkurt, gjë që çoi në vendosjen e sanksioneve të reja nga Kombet e Bashkuara, të cilat gjithsesi kanë dështuar të pengojnë programin e armatimit të Penianit.

Ushtria e Koresë së Jugut thotë se Peniani është teknikisht gati për një tjetër test bërthamor, e kjo mbetet vetëm në varësi të vendimit politik të udhëheqësisë së tij. Ministria e Mbrojtjes së fqinjit jugor bën të ditur se nuk mundet ta konfirmojë raportin, por ritheksoi se Veriu mund të zhvillojë test bërthamor në çdo kohë.

Top Channel