
Të paktën 77 vetë humbën jetën nga tërmeti 7.8 ballësh që goditi brigjet e Ekuadorit mbrëmjen e së shtunës. Lëkundjet e dhunshme të tokës u ndjenë deri në kryeqytetin Quito, të ndodhur 170 km larg epiqendrës.
Shenjat e krisjeve në një sërë ndërtesash janë të dukshme, e një pjesë e banorëve humbën shërbimin telefonik. Një urë u shemb krejtësisht në qytetin port të Guayaquilit dhe në Manta, aeroporti u detyrua të mbyllej pas dëmtimit të kullës së kontrollit. Shkalla reale e dëmeve është ende e paqartë.
Autoritetet vendas shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në 6 provinca: Esmeraldas, Los Rios, Manabi, Santa Elena, Guayas dhe Santo Domingo, si dhe mobilizuan Gardën Kombëtare. Qendra e parashikimit të tsunameve njoftoi më herët se, dallgë jo shumë të larta mund të viheshin re në zonat bregdetare, por më vonë sqaroi se kërcënimi i tsunamit kishte kaluar.
Pavarësisht kësaj, zëvendëspresidenti i vendit, Jorge Glas bëri thirrje sërish për evakuimin e zonave bregdetare si masë paraprake. Ai paralajmëroi gjithashtu se, bilanci i vdekjeve nga tërmeti më i madh që godet vendin prej dekadash të tëra mund të rritet. Kreu i shtetit, Presidenti Rafael Correa, që ndodhej në Romë pas ndjekjes së një konference papnore, është duke u kthyer me urgjence në Ekuador.
Shërbimi gjeologjik amerikan e vendos epiqendrën e tërmetit në afërsi të qytezës së Muisnes, një zonë kjo me dendësi jo shumë të madhe popullsie. Me dhjetëra banesa janë rrafshuar krejtësisht atje, e nga sa tregojnë raportet kanë nisur grabitjet në masë.
Vatra e lëkundjeve ishte në 19 kilometra thellësi. I njëjti shërbim flet edhe për një seri lëkundjesh pasardhëse, më e forta nga të cilat 5.4 ballë. Ekuadori është i prirur për tërmete, pasi ndodhet në të ashtuquajturën “unaza e zjarrit”, një zonë lëvizjesh të forta sizmike kjo në Oqeanin Paqësor.
Top Channel