E ardhmja e demokracisë së Amerikës, Sanders jep një sinjal të mirë

17/04/2016 00:00

Marshimi i pandalshëm i miliarderit kundër emigrantëve, Donald Trump, në garën për Shtëpinë e Bardhë ka qenë tema dominuese nëpër media dhe debate publike që prej verës së shkuar. Por ngjitja e Trumpit, – sipas “Deutsche Welle”-s, – ka lënë padrejtësisht në hije një tjetër fenomen, që mund të ketë pasoja në të ardhmen: suksesin e Bernie Sanders, rivalin e kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Kandidati i panjohur në radhët e Uashingtonit, rreth të 70-ave e që e quan veten socialist, vjen nga shteti i Vermontit dhe e ka financuar fushatën e tij vetëm përmes kontributeve të vogla. Ai, jo vetëm ia ka dalë të zemërojë rivalen Hillary Clinton, që në sytë e të gjithëve dukej si kandidate e vulosur që në fillim, por edhe të fitojë një sërë shtetesh, përmes një fushate zgjedhore të orientuar nga tema të caktuara.

Daljet publike të Sandersit tërheqin shumë amerikanë, por mbi të gjithë aty sheh të rinj me shumicë, që janë të interesuar të dëgjojnë zotërinë e moshuar. Sipas sondazheve, të ashtuquajturit “Millennials”- të lindurit nga viti 1980 e lart para ndërrimit të mijëvjeçarëve – preferojnë më shumë Sandersin sesa Clintonin. Por mbështetjen më të madhe, Sanders e gjen te vajzat e reja.

Pyetja që ngrenë të gjithë është se, si arriti Sanders të ketë një sukses të tillë. Në ndryshim nga modeli i zakonshëm, pretendenti për kandidaturën demokrate nuk e ka financuar fushatën nga donacionet e kontestuara të të mëdhenjve. Financimi i fushatës së Sanders bazohet në kontributet e vogla “online” prej 27 dollarësh mesatarisht, që kanë rezultuar të suksseshme për të.

Në mars, Sanders grumbulloi për herë të tretë më shumë donacione sesa Clinton. Edhe pse nuk ka shumë gjasa të fitojë, suksesi i tij tregon se, në një kohë kur fushata dominohet nga miliarderët dhe grupet e grumbullimit të fondeve, është e mundur të jesh konkurrues në fushatë edhe me kontribute të vogla personale. “Për të ardhmen e demokracisë, kjo është një shenjë e mirë”, pohon “Deutsche Welle” në analizën e saj.

Top Channel