Brazil, Presidentja Roussef në luftë për mbijetesë

17/04/2016 00:00

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff po lufton për mbijetesë, ndërkohë që Parlamenti pritet të votojë të hënën për shkarkimin e saj.

Opozita pretendon se, administrata e zonjës Rousseff shkeli ligjin, duke zhvendosur fonde publike për të fituar mbështetjen e publikut për rizgjedhjen e saj në vitin 2014.

Presidentja 68-vjeçare, që ka studiuar shkenca ekonomike, thotë se kjo ka qenë një praktikë e zakonshme dhe këmbëngul se nuk ka kryer shkelje.

Duke i paraprirë votimit në Parlament, ajo botoi një artikull në një gazetë të përditshme braziliane, ku shpjegon se ajo është viktimë e një puçi, që politikanë të korruptuar po organizojnë ndaj Republikës së Brazilit dhe demokracisë.

Nëse dy të tretat e Dhomës së Ulët të Parlamentit brazilian miratojnë propozimin për shkarkimin e saj, atëherë Senati do të votojë nëse presidentja duhet të shkarkohet. Ndërkohë, sipas ligjit brazilian, ajo do të pezullohet gjithashtu nga detyra për 180 ditë.

Kjo krizë politike në Brazil mund të destabilizojë ekonominë më të madhe të Amerikës Latine, e cila po përjeton një rënie ekonomike, ndërkohë që po mundohet të organizojë Lojërat Olimpike në muajin gusht, në Rio de Janeiro.

Top Channel