Idrizi: Prioritet bashkimi kombëtar

16/04/2016 00:00

Shpëtim Idrizi, kreu PDIU-së,  në një takim me strukturat e partisë për anëtarësimet e reja, theksoi se ka ardhur momenti për veprime konkrete për bashkimin kombëtar dhe jo thjesht foto e shtërngime duarsh mes liderve shqiptarë të rajonit.

“Në themel të programit tonë është bashkimi kombëtar.  Është bashkimi kombëtar jo thjesht dhe vetëm si  një detyrim kushtetues. I ftoj të gjithë ata që flasin, por nuk e dinë të lexojnë preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë, ku ne e kemi detyrim të luftojmë për identitet kombetar, bashkim kombëtar dhe ky është një detyrim që buron natyrshëm prej nesh”, tha ai.

Idrizi bëri edhe disa propozime konkrete.

“Shqipëria është i vetmi vend në botë që rrethohet nga shqiptarët. Të heqim barrierat doganore me Kosovën. Kemi bërë një abetare të përbashkët dhe shumë mirë e kemi bërë, por ne duhet të unifikojmë arsimin. Pra ne duhet të punojmë përditë për të arritur këtë aspiratë të madhe të të gjithë shqiptarëve e cila buron nga Kushtetuta e Shqipërisë”, deklaron Idrizi.

Beteja jonë së bashku me deputeten Mesila Doda, shtoi ai, për nevojën e ndarjes njëherë e mirë nga komunizmi do të vazhdojë. Është skandaloze, tha Idrizi, që ende diktatori Enver Hoxha mban titullin Hero i Popullit.

Top Channel