
Ndonëse në një sfond të errët ekonomik, takimi i udhëheqësve të financave të grupit të 20 ekonomive dominuese të botës, G-20, u mbyll me tone shpresëdhënëse.
Liderët përsëritën angazhimin e tyre për të përdorur të gjitha mjetet e politikës, instrumentet monetare fiskale dhe ato strukturore për të nxitur besimin dhe njëkohësisht rritjen ekonomike.
Rreziku dhe pasiguria vazhdojnë të dominojnë opinionin botëror në një sfond të rënduar dhe të luhatshëm financiar.
Takimi i G20-s u mbajt pikërisht pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar ditën e martë uli parashikimin për rritjen globale ekonomike për vitin 2016 në 3.2%, duke thënë se financat po rriten me një ritëm aq të ngadaltë, saqë po ekspozohen edhe më shumë ndaj rreziqeve.
Ministrat e Financave të G20-s dhe guvernatorët e bankave qendrore theksuan rrezikun e një daljeje të mundshme të Mbretërisë së Bashkuar nga unioni, i njohur ndryshe si “Brexit”.
Po ashtu, konfliktet gjeopolitike, terrorizmi, flukset e refugjatëve po komplikojnë mjedisin ekonomik global. Udhëheqësit e financave ndër të tjera u zotuan për të frenuar evazionin fiskal dhe pastrimin e parave pas skandalit të Panama Papers.
Top Channel