Zhbllokohet ngërçi, rinis puna për drejtësinë

15/04/2016 10:35

Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi rinisi punën pas 3 javësh ndërprerje. Partia Demokratike iu rikthye bisedimeve, pasi Kuvendi miratoi të enjten dy kërkesat e saj për zbatimin e Kushtetutës, ngritjen e komisionit hetimor për CEZ-in dhe interpretimin nga Gjykata Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve.

Përmbushja e këtyre kushteve rikthen opozitën jo vetëm në komisionin e drejtësisë, por edhe në komisionet e tjera parlamentare, duke i dhënë fund marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin.

Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një deklarate të përbashkët mbështeten rifillimin e dialogut. Ata u bënë thirrje partive politike që të dëgjojnë zërin e 91 përqind të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme, duke e çuar atë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa.

“Të gjitha partitë politike kanë një rol në këtë proces dhe kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Mbledhja e Komisionit për Reformën në Drejtësi po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe atje ka marrë pjesë në fillim edhe Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vllahutin, e cila ka inkurajuar palët ta miratojnë reformën deri në verë.

Gjatë 5 orëve me dyer të mbyllura, socialistët dhe demokratët kanë diskutuar për 6 çështjet që kishin mbetur në axhendën politike, por nuk kanë arritur në përfundime që mund të quhen konsensuale.

Secila palë ka paraqitur propozimet e veta sesi duhet zgjidhur mosmarreveshja për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbarimin e parakohshëm të mandateve, përfshirë dhe atë të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për mënyrën sesi duhet të zgjidhen anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Deri javën e ardhshme pritet që ekspertët e huaj të sjellin propozime konkrete për idetë e hedhura në dialogun politik mes palëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA