
Debati i fundit para zgjedhjeve paraprake të Nju Jorkut mes kandidatëve demokratë Hillary Clinon dhe Bernie Sanders, shpërtheu në sulme të rrëmbyera e shpesh personale. Gara demokrate ka marrë një kthesë mjaft negative gjatë ditëve të fundit me kandidatët që kanë shkëmbyer thumbime mes tyre lidhur me kualifikimin e tyre për presidencën.
Ndër të tjera, Clinton dhe Sanders u përplasen per Wall Streetin, kontrollin e armëve dhe pagën minimale. Sanders ka fituar në 7 prej paraprakeve të fundit, por Clinton vazhdon të ruajë kryesimin. Deri më tani, demokratët i kishin evituar sulmet personale që kanë dominuar debatet republikane.
Sanders e ka kritikuar në vazhdimësi Clitnonin për lidhjet financiare me Wall Streetin, veçanërisht për fjalimet e paguara në një bankë investimesh. Ai e fajëson gjithashtu atë për mbështetjen e luftës në Irak.
“A e ka Sekretarja Clinton eksperiencën dhe inteligjencën për të qenë Presidente? Natyrisht që po. Por unë vë në dyshim gjykimin e saj, pasi votoi për luftën në Irak apo për marrëveshje katastrofike tregtare që na kushtuan mijëra vende pune”, deklaroi Sanders.
“Senatori Sanders më quajti të pakualifikuar. Më kanë vënë shumë epitete në jetë, por kurrë këtë. Ai vë në pikëpyetje gjykimin tim kur Nju Jorku ka votuar dy herë për mua si senatore. Presidenti Obama besoi tek gjykimi im kur më kërkoi të bëhem Sekretare shteti”, iu kundërpërgjigj Clinton.
Clinton ngre dyshime nëse Sanders i ka menduar mirë propozimet e tij politike, pasi e pati të vështirë të parashtronte detaje gjatë një interviste për “New York Daily News”. “Është e lehtë të bësh diagnozën e problemit. Por përpjekja për ta zgjidhur atë, është diçka tjetër”, tha ajo.
Tensionet ishin të dukshme gjatë gjithë kohës, me Sanders që shpesh tallej me përgjigjiet e Clinton dhe këtë të fundit që nuk e linte të fliste. Ata fishkulluan njëri-tjetrin edhe lidhur me çështjen e armëve. Ish-Zonja e Parë akuzon Sandersin se ka votuar për të mbrojtur prodhuesit e armëve nga detyrimet ligjore.
Nga ana e tij, senatori i Vermontit u hodh në sulm për reformen klimaterike duke thënë se hapat e vegjël të ndërmarrë nga administrata Obama nuk janë të mjaftueshme.
Clinton mbrojti rolin e saj në ndërhyrjen në Libi, ndërsa Sandars e fajësoi për dështimin e sigurisë në këtë vend. Debati i zhvilluar ne Bruklin zgjati dy orë dhe u transmetua në “CNN”.
Top Channel