Forcat policore në qytetin amerikan të Çikagos i ka pllakosur racizmi. Raporti zyrtar që del në këtë përfundim, rekomandon ndryshime rrënjësore si e vetmja mënyrë për të frenuar fenomenin shqetësues.
Task forca e krijuar pas ankesave publike mbi incidentet ku janë përfshirë forcat e rendit deklaroi se disa efektivë nuk kanë asnjë respekt për shenjtërinë e jetës kur vjen fjala tek njerëzit me ngjyrë. Departamenti, vazhdon pohimi i ashpër e pa doreza, është armiqësuar me personat me ngjyrë e hispanikët prej përdorimit të tepruar të forcës dhe mbajtjes së një kodi heshtjeje.
Shefi i ri i Policisë së Çikagos, Eddie Johnson, edhe ai vetë afro-amerikan, u betua ta çrrënjosë racizmin brenda radhëve të saj. Ne kemi racizëm në Amerikë, u shpreh Johnson, kemi racizëm në Çikago, ndaj logjika e dikton që të kemi racizëm edhe brenda forcave tona policore. Objektivi im, u shpreh ai pas marrjes së detyrës, është ta luftojë pa hezitim këtë fenomen.
Raporti kërkon më shumë se 100 ndryshime të rrufeshme. Sipas panelit, 74% e qindra personave të qëlluar nga oficerët e policisë vitet e fundit ishin afro-amerikanë, edhe pse kjo kategori nuk përbën veçse 33% të popullatës së qytetit.
Top Channel