Rama në CNN: Ja pse jam kundër Trump. SHBA nuk i përkasin vetëm vetëvetes

14/04/2016 11:40

Mediat ndërkombëtare i ka tërhequr qëndrimi pa doreza i Edi Ramës kundër Donald Trumpit. Tek revista prestigjioze “Foreign Policy”, kryeministri shqiptar e quante biznesmenin që kandidon për president “turpi i qytetërimit” dhe që po ushqen ndjenja antimyslimane tek mbështëtsit e tj.

Ndërsa i ftuar nga Richard Quest në CNN, Rama ka mbrojtur bindjen e tij se Donald Trump është një zgjedhje e dëmshme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe theksoi se shpreson që ai të mos jetë kandidat i republikanëve për president.

“Mos e dhëntë Zoti! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme”, ka thënë Rama.

Por a po shkel Edi Rama një protokoll diplomatik duke folur për zgjedhjet e nje vendi tjeter?

“Nuk komentova mbi zgjedhjet. Unë thjesht thashë diçka që kuptoj, pastaj nuk jam as i pari dhe as i vetmi që e thotë. Udhëheqës të tjerë në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, pasi SHBA-të janë vend lider dhe shumë të rëndësishme për t’i përkitur vetëm vetes së tyre. SHBA është në sytë tanë një lider botëror, që ne e ndjekim si një shembull vërtet frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ngritur mbi vlera dhe parime për të cilat Amerika ka luftuar dhe që e kanë bërë Amerikën të madhe”, ka thënë Rama.

Vendi ku të gjithë nderojnë Amerikën janë Varrezat Kombëtare në Arlington. Me një ceremoni solmene, kryeministri Rama bëri homazhe për heronjtë amerikanë dhe vendosi lule tek Ushtari i Panjohur.

Më vonë gjatë ditës kryeministri Rama pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama dhe zëvendëspresidentin Joe Biden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA