
Banorët e Dumresë i prezantuan kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një situatë të rënduar ekonomike, pa ndihmë nga shteti dhe me rritje të çmimeve për lëndët e para dhe farërat në bujqësi.
“Problemi këtu është korrupsioni, sepse në qoftë se taksat merren dhe kthehen në rrugë të reja, në ujësjellës, në kanalizime, në vaditje, në kullim apo subvencione për bujqësinë, ju do t’ia shihni hajrin”, tha nga ana e tij Basha.
Kreu i opozitës u tha fermerëve se Partia Demokratike ka në plan të investojë në vitin e parë të qeverisjes 150 milionë dollarë.
“Ne do të ndërtojmë një skemë subvencionimi që t’i vijë çdo familjeje fermeri në ndihmë. I vetmi kriter do të jetë, e punon apo se punon tokën? Ke apo nuk ke blegtori”, tha Basha.
Në programin e Partisë Demorkatike parashikohen subvencione për energjinë, ujin dhe medikamentet për familjet në nevojë dhe personat invalidë. Por Basha tha se zgjidhja reale është krijimi i vendeve të punës.
“Që ekonomia të fillojë të xhirojë, që leku të fillojë të xhirojë duhen masa radikale. Ulje taksash, investime publike të vërteta, jo falso, jo palma. Subvencionim të bujqësisë, ulje të energjisë elektrike”, tha Basha.
Kreu i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen përtej bindjeve politike dhe kur të jenë zgjedhet t’i japin Partisë Demorkatike shansin për të rindërtuar vendin.
Top Channel