
Çështja aq e diskutuar e cilësisë së barnave në tregun shqiptar ishte në fokusin e një konference shkencore, ku ministri i Shëndetësisë garantoi se, ulja e çmimit të barnave nuk ka cënuar aspak cilësinë dhe as ka ndryshuar gjeografinë prej nga vijnë. Përkundrazi, është shtuar numri i barnave patentë.
“Ne kemi regjistruar 162 barna origjine. Këto javë është regjistruar një bar i ri patentë. Barnat origjinë, në vlerën e tyre të importuar në Shqipëri përbënin rreth 35% të importit. Në 2015-n arritën në 54% të importit. Shqipëria ishte bashkë me Meksikën, dy vende në botë ku, për të njëjtin princip aktiv gjeneriku kushton edhe më shumë sesa origjina. Zyrat e përfaqësisë së prodhuesve farmaceutikë të ishin më aktivë për t’u mbrojtur produktet e tyre dhe për të forcuar besimin e qytetarëve, në këtë rast si konsumatorë te produktet e tyre”, tha ministri Ilir Beqaj.
Ndërkohë që edhe Urdhri i Farmacistëve kërkon më tepër vëmendje nga strukturat shtetërore.
“Institucionet shtetërore që merren me garantimin e kësaj pjese të jenë në pozita sa më të shëndosha, në mënyrë që si për efektin e barit, farmacistët nuk i vë në vështirësi, ashtu dhe për garantimin e cilësisë që japin. Di të them që kemi treg të kontrolluar”, deklaroi Diana Toma, “Urdhri i Farmacistëve”.
Ministri Beqaj shtroi për diskutim nëse duhet apo jo që mjeku të shënojë në recetë një bar, i cili sapo është aprovuar për t’u hedhur në treg në vendet e zhvilluara, por që në Shqipëri nuk ka mbërritur ende.
Top Channel