Mandatet e Sulit dhe Leskajt, Komisioni: Kuvendi të votojë kërkesat; PD, kundër

13/04/2016 00:00

Të enjten, Kuvendit do t’i paraqitet për votim kërkesa e dy deputetëve socialistë, Leskaj e Suli, për të çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të tyre. Kështu ka vendosur Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores në mbledhjen e së mërkurës.

Ky vendim është marrë vetëm me votat e mazhorancës në këtë këshill, pasi nuk është gjetur konsensusi me opozitën.

Demokrati Arben Ristani shpjegoi problematikën, që lidhet me këtë vendim të këshillit.

“Mazhoranca është e kapur ngushtë për shkak të arbitraritetit të saj për t’i shpëtuar zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës, e për këtë po mundohet të gjejë komardare shpëtimi. Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojë kërkesa e zonjës Leskaj dhe zotit Suli, por vendimi i Parlamentit së bashku me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit”, tha Arben Ristani.

Por, a do t’i rikthehet PD normalitetit në Parlament? Për këtë, Arben Ristani tha se, fjalën e fundit do ta thonë forumet e PD-së.

Top Channel