
Autoritetet saudite kanë marrë masa për të reduktuar fuqitë e policisë famëkeqe fetare e njohur në vend me emrin “Mutawa”.
Cilësimi teknik i policisë fetare në Arabinë Saudite është Komiteti për promovimin e vlerave dhe parandalimin e veseve dhe anëtarët e tij që sot e tutje nuk kanë më të drejtë që të ndjekin apo arrestojnë të dyshuarit.
Ata thjesht do të raportojnë vëzhgimet e tyre tek forcat e rendit. Anëtarët e policisë fetare, të cilët patrullojnë rrugët e Arabisë Saudite për të ruajtur standardet e rrepta të sjelljes sociale, shpesh janë akuzuar për abuzim të fuqive të tyre.
Disa prej tyre madje u arrestuan në shkurt, pasi sulmuan fizikisht një femër të re në Riad. Në vitin 2013, katër prej tyre u akuzuan se kishin shkaktuar një aksident fatal rrugor, pasi ndoqën me makinë dy vëllezër që nuk pranonin të ulnin zërin e radios.
Ligji i ri për policinë fetare thotë se ajo do të vazhdojë të ndihmojë në respektimin e rregullave të rrepta për ndarjen mes sekseve, ndalimin absolut të alkoolit, ndalimin e femrave në timon dhe kufizime të tjera sociale.
Por, ndryshimi kryesor është se policia fetare nuk do të ketë më rol aktiv në ndalimin e njerëzve, por vetëm do t’i raportojë ato pranë organeve përkatëse.
Top Channel